Çelet në UMSH shkolla dimërore “Informim dhe Privatësi”

Universiteti Mesdhetar, Marrëveshje bashkëpunimi  me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale


Çelet shkolla dimërore “Informim dhe Privatësi”, për studentët dhe stafin akademik. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional me  Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përfaqësuar nga Komisioneri, z. Besnik Dervishi. Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e ndërsjelltë  në zbatimin e standardeve më të larta në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Sipas saj palët angazhohen edhe në hapjen dhe në organizimin e Shkollës për aftësimin e studentëve dhe stafit akademik e administrativ, në marrjen e njohurive mbi të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. ”Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, ka një rëndësi të veçantë për studentët e Universitetit tonë, sepse shpresohet që nëpërmjet saj do të hapen më shumë mundësi që ata të marrin njohuri të kualifikuara mbi legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të njihen me  raste konkrete të praktikës në këto”, u shpreh gjatë ceremonisë, themeluesi i Universitetit Mesdhetar, Prof. ..Anastas Angjeli. Sipas tij, të dyja palët priren nga dëshira e mirë për të konsoliduar bashkëpunimin midis tyre në drejtime konkrete, për të siguruar të ardhmen e një brezi të ri të mbrojtur dhe të mirëinformuar për të drejtat e tyre. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtes së të Dhënave Personale z. Besnik Dervishi, u shpreh se, njohja e legjislacionit të të dy këtyre fushave ,privatësia dhe e drejta e informimit, nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë është mjaft e rëndësishme. “Zyra e Komisionerit po e konsolidon këtë traditë me disa Universitete në vend, me synimin për të nxitur edukimin shoqëror në respektimin e të drejtave themelore të njeriut”, tha zoti Dervishi. Marrëveshja e firmosur  përfshin  komponentë të tillë të rëndësishëm si respektimi dhe ruajtja e privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale, respektimi i të drejtës për informim për dokumentat zyrtare, zbatimi i procedurave më të mira për shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit etj.Ato janë objekt veprimtarie për Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por janë njëkohësisht edhe pjesë e kurrikulave mësimore në disa nga degët e fakulteteve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.