Praktika për studentët dhe ekspertizë në teknologji informacioni, UMSH marrëveshje me “ Infosoft Group”

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me “Investment Joti- Infosoft Group”, grupi që prej 27 vitesh udhëheq  distribucionin e produkteve të konsumit dhe teknologjisë së Informacionit  në Shqipëri. Ky grup është sot një nga sipërmarrjet më të mëdha që angazhon profesionistë të klasit të lartë me ekspertizë të gjerë në fushën e tyre respektive, dhe përbëhet  nga njëmbëdhjetë kompani. Studentët e UMSH-së tashmë do të kenë mundësinë të kryejnë praktikat mësimore,  pranë kësaj shoqërie e cila zotëron tregun prej disa dekadash. Kjo marrëveshje, vjen në  vazhdën e marrëveshjeve që Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, duke pasur  synim  të rrisë dhe përmirësojë cilësinë e mësimdhënies, familjarizimin e studentëve me  tregun e punës, ka përfunduar nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet publike dhe private. Presidenti i “Investment Joti- Infosoft Group”,z. Grigor Joti,  u prit nga themeluesi i Universitetit Mesdhetar Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli dhe studentë e pedagogë të UMSH-së. Sipas marrëveshjes, Shoqeria “Investment Joti- Infosoft Group” do të angazhojë, sipas një plani të caktuar, studentë dhe të diplomuar të UMSH në punë provuese (stazhe). Kjo  shoqëri  në kuadër të veprimtarisë së vet, do t’ju mundësojë studentëve të UMSH-së, kryerjen e praktikës profesionale të parashikuar në planin mësimor. Ekspertë të shoqërisë “Investment Joti- Infosoft Group” veçanërisht në fushën e IT, do të kenë mundësinë të mbajnë në UMSH leksione për studentët  si dhe  të dyja palët do të realizojnë veprimtari të përbashkëta kërkimore, promovuese dhe marketingu, me qëllim rritjen e cilësisë, imazhit të institucioneve respektive si dhe sensibilizimin e qytetarëve  me projektet e përbashkëta të dy institucioneve. Themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Anastas Angjeli e vlerësoi këtë marrëveshje si mjaft të rëndësishme, duke theksuar se modelet e shoqërive të tilla të suksesshme i shërbejnë studentëve si mundësi jo vetëm për praktikat, por edhe si një dritare më shumë për tu punësuar nëse vërtet kanë potencialin që i përshtatet shoqërisë. Presidenti i “Investment Joti- Infosoft Group”,z. Grigor Joti,pasi bëri një prezantim të grupit që drejton, nënvizoi se rekrutimi i të rinjve të aftë  ka qenë prej vitesh një  prioritet i pandryshueshëm.


Marrëveshja, Universiteti Mesdhetar do shkëmbejë studentë me Universitetin e Durrësit


Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu”,i Durrësit, nënshrkuan sot  marrëveshjen e  bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.  Sipas kësaj marrëveshjeje, dy universitetet do të  inkurajojnë  kontaktet  e drejtpërdrejta  dhe  bashkëpunimin  ndërmjet  anëtarëve  të personelit  akademik  të fakulteteve, departamenteve, institucioneve kërkimore dhe studentëve. Aplikimet për shkëmbimin e studentëve, nga sa përcakton marrëveshja  do të zhvillohen nga dy universitetet  mbi baza reciprociteti  brenda të njëjtit vit akademik.  “Studentët e shkëmbyer do të pranohen për një periudhë  që zgjat një ose dy semestra  dhe për një periudhë maksimale prej një viti akademik”, përcakton marrëveshja.  Sipas saj, studentët  e shkëmbyer  mund të ndjekin  lëndë për të marrë kredite dhe institucioni  pritës duhet  të  lëshojë  një  vërtetim, në  të  cilin të shënohen  notat  e  marra  për  studentët e shkëmbyer në përputhje me të njëjtat rregulla dhe rregullore që zbatohen për studentët  e regjistruar normalisht. Institucioni pritës nuk  do të aplikojë pagesën e shkollimit për studentët e shkëmbyer. Studentët  e shkëmbyer  duhet  të  rekomandohen   nga  institucioni dërgues  dhe  duhet  të ndjekin rregullat dhe procedurat e përcaktuara  nga institucioni pritës. Themeluesi i Universitetit Mesdhetar, Akademik, Prof. Dr Anastas Angjeli dhe Rektorët e Universitetit të Durrësit znj. Kseanela Sotirofski dhe UMSH. z.  Nexhmi Dumani, e cilësuan këtë marrëveshje mjaft të rëndësishme, në kuadër të  ofrimit të një cilësie edhe më të mirë në arsimin e lartë publik dhe privat, duke i krijuar studentëve dhe stafit akademik më shumë hapësira. 

 

 

 




 


Memorandumi, studentët e UMSH trajnime dhe këshillim karriere nga The HeadHunter

Kompania më e madhe e punësimit në rajon

zgjedh UMSH si partner në projektin e USAID “People first”

 

Studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë do të trajnohen dhe do të mund të sigurojnë mundësi punësimi nga një prej kompanive më të mëdha jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon, The HeadHunter. Kjo kompani  ofron shërbime inovative në përzgjedhjen e personelit dhe rekrutimit dhe  ka zyrat e saj në Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi, Greqi dhe SHBA. Vetëm vitin e kaluar në Shqipëri nëpërmjet kësaj kompanie u punësuan mbi 7000 persona. Drejtuar nga Elton Ilirjani, ndër studentët e parë të Universitetit Mesdhetar, The HeadHunter ka përzgjedhur UMSH, si partnerin e saj kryesor në Projektin “People First” financuar nga USAID dhe Ambasada Suedeze në Shqipëri. Për këtë qëllim u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe  The HeadHunter shpk dhe në sajë të tij, studentët e UMSH do të kenë mundësi të trajnohen për tetë profesione të Hoteleri – Turizmit. Ky bashkëpunim, do të sigurojë ofrimin e kurrikulave sipas standardeve bashkohore dhe nevojave të tregut në sektorin e turizimit, rritjen e numrit të të rinjve që do të trainohen dhe si rrjedhojë, rritjen e numrit të të punësuarve në fushën e Turizmit. Shkëmbimi i ekspertizës ndërmjet The HeadHunter dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, do të shërbejë për të krijuar një urë lidhëse midis këtij të fundit dhe Biznesit Privat në Sektorin e Turizmit, dhe institutcionalizimin e marrëdhënies midis tyre.Gjithashtu, në kuadrin e zgjerimit të bashkëpunimit mes The HeadHunter dhe UMSH, u nënshkrua njëkohësisht edhe një marrëveshje bazuar në të cilën, The HeadHunter do të ofrojë pranë UMSH këshillimin e karrierës për studentët e këtij Universiteti, duke i orientuar ata drejt një qasje profesionale në procesin e punësimit.

 

Promovimi, profesori i njohur i së Drejtës Ndërkombëtare Ksenofon Krisafi boton dy libra të rinj për Kosovën

Promovohen dy librat e rinj të një prej profesorëve më të njohur të së Drejtës Ndërkombëtare, Dekanit  të Fakultetit të Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH, Ksenofon Krisafi. Në ceremoninë e organizuar në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, morën pjesë dhjetra personalitete të ndryshme të politikës, diplomacisë, studiues e analistë.  “Lufta e Kosovës në Labirintet Diplomatike" dhe “Në Gjenevë për Kosovën-Fjalime në institucionet ndërkombëtare”, janë dy librat të cilat janë shkruar duke iu referuar kohës, kur Prof. Krisafi, ishte në krye të misionit diplomatik të Shqipërisë në OKB. “Janë libra që kanë nisur kur në Kosovë bëhej luftë dhe në qarqet diplomatikë ku kam bërë pjesë në atë kohë, punohej për ta ndalur atë. Janë vitë të mbushura me veprimtari mjaft intensive e përkushtim për një kauzë të madhe mbarë kombëtare. Ndjehem vërtet me fat që isha pjesë e atij grupi njerëzve që punuan sinqerisht dhe pa u lodhur duke kontribuar modestisht për Kosovën”, u shpreh Prof. Krisafi gjatë ceremonisë, duke falenderuar të ftuarit që u bënë pjesë e saj. Këta dy libra u vlerësuan edhe nga kolegë e miq të profesor Krisafit. Në fjalën e tyre z. Fatos Tarifa dhe z. Pëllumb Xhufi, duke iu referuar dy vëllimeve të botuara, theksuan se në këto libra tregohet qartazi se cfarë mund të bëjë një diplomat i një vendi të vogël për një kauzë të madhe siç ishte pavarësia e Kosovës. Ata i cilësuan këta libra si dokumenta mjaft të rëndësishëm, të cilat do të mbeten gur themeli në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare veçanërisht me shtetin e Kosovës. Themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Profesor e Akademik, Anastas Angjeli u shpreh se këto dy vepra kanë në thelb një komb, vijnë vetëm pak javë pas përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës. “Janë dy vepra për një çështje, gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës, natyrisht të gjithë e njohim këtë luftë, por ka edhe një luftë tjetër të një karakteri të veçantë ,  lufta diplomatike e cila ka nisur dekada më parë  dhe me veçoritë e saj e me vlerat është sjellë ashtu siç duhet nga prof. Ksenofon Krisafi,falë përvojës së tij , falë veprimtarisë konkrete dhe praktikë në fushën historike e diplomatike , të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh themeluesi i UMSH-së.