Zv. Kryeministrja , Senida Mesi me studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë: Si po reformohet administrata publike


Zv. Kryeministrja Senida Mesi, ishte sot e ftuar në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, për të mbajtur një leksion të hapur për studentët me temë “Reforma në administratën publike, prioritet kyç për integrimin europian”.Në ligjëratën e saj Zv. Kryeministrja, u ndal në hapat që po ndërmerren për  riorganizimin e  administratës publike,për të arritur ato standarde që na afrojnë me BE-në. Qëllimi kryesor i  reformës, është rritja e cilësisë së shërbimeve që ofron administrata publike, duke u larguar sa më shumë nga burokracitë dhe duke i shërbyer qytetarëve me profesionalizëm. “Reforma ka filluar  me riorganizimin institucional, rishikimin e funksioneve të të gjitha institucioneve dhe agjencive të varësisë, me qëllim ristrukturimin e tyre, për të rritur efiçencën, duke  rindërtuar  nga themelet marrëdhënien e qytetarit”,  u shpreh zv. Kryeministrja.  Në ligjëratën e saj,  ajo renditi si shumë të rëndësishme shtimin e  numrit të shërbimeve publike online që do të kontribuojnë në modernizimin dhe uljen e korrupsionit,  apo edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike. Duke iu përgjigjur interesit të studentëve, zv. Kryeministrja theksoi se në institucionet shtetërore praktikat profesionale të studentëve  të cilat kryhen në një periudhë kohore prej 6 muajsh, kanë sjellë një frymë të re në administratën publike, pasi të rinjtë vijnë me dëshirë për të punuar. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka marrëveshje bashkëpunimi me pjesën më të madhe të institucioneve publike dhe private. Në sajë të këtyre marrëveshjeve, studentët kryejnë intershipe, trajnime dhe  praktikat mësimore  duke pasuruar cv-të e tyre  ende pa përfunduar shkollën e lartë. Themeluesi i Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë Akademik, Pr. Dr. Anastas Angjeli, duke falenderuar Zv. Kryeministren për ligjëratën e saj, u shpreh se me një administratë publike profesionistë, Shqipëra do të integrohet më shpejt në Bashkimin Europian. “Kualifikimi i të rinjve, ndryshimi i mentalitetit dhe kulturës së punës, paralel me politikat që duhen ndërrmarrë do ta bëjnë këtë proces më të lehtë “, u shpreh z. Angjeli. Reformimi i administratës publike është një nga 5 prioritetet kyçe të cilat Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe po  do të mbikqyret nga një grup i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe përfaqësues të të gjithë vendeve të Bashkimit Europian.


Deputetët e të gjitha forcave politikë bëhen bashkë: Lufta kundër dhunës në familje, mbi kufijtë e axhendave politike


Lufta kundër dhunës në familje qëndron mbi kujfitë e axhendave politike. Pesë  deputete, përfaqësuese  të  PS,PD, LSI  treguan sot vendosmëri dhe angazhimin për bashkëpunim maksimal në mënyrë që AKSIONI kundër dhunës të jetë një aksion sa më gjithpërfshirës. Në bashkëbisedimin me studentët e Universitetit Mesdhetar, në kuadër të ditëve të sensbilizimit kundër dhunën, zonjat Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Evis Kushi, Nora Malaj dhe Elona Gjebra, dhanë  shembullin më të mirë se  ashtu siç në mënyrë unanime Kuvendi miratoi rezolutën e re kundër dhunës, ky fenomen kërkon një goditje frontale nga të gjithë aktorët e shoqërisë. “Është momenti që në të gjithë bashkë të flasim me të njëjtën gjuhë kundër dhunës në familje. Informacioni për dhunën në familje duhet të fillojë që nga klasat më të hershme”, u shpreh Albana Vokshi, deputete e PD. Rezoluta e re kundër dhunës është miratuar në unanimitet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Falë kësaj resolute, pritet që në vijim të merret informacion real për dhunën në familje. Rezoluta parashikon marrjen e masave dhe hapave ligjore për ndryshimin e legjislacionit në mënyrë që mekanizmi për të luftuar dhunën të funksionojë. “Ndëshkim maksimal i kujtdo që dhunon gruan, motrën, nënën. Ka fenomene që na vrasin përditë dhe të mos reagojë rinia është e pafalshme”, tha Klajda Gjosha deputete e LSI. Deputetja e PS, Evis Kushi, u shpreh se duhet parë në sy realiteti. “Problemet e dhunës ndaj gruas, janë problem që nuk duhet të shqetësojnë vetëm gruan, por gjithë shoqërinë”, u shpreh Kushi. Informimi dhe sensibilizimi i shoqërisë është gjithashtu një nga hapat më të rëndësishëm, veçanërisht me të rinjtë dhe në këtë kontekst takimi në Universitetin Mesdhetar, ishte i pari, nisur nga  ndjeshmëria që ky universitet ka ndaj problematikave sociale. “Ne mundemi të bëjmë së bashku atë që quhet shoqëri e integruar me brezat. Nëse e bëjmë më të mirë shoqërinë ne mprehemi mëndërisht por mundemi gjithashtu të kemi një të ardhme më të mirë në familjet tona”, u shpreh Nora Malaj, deputete e LSI-së. Të rinjtë janë sot faktori më i rëndësishëm në familje për të ndryshuar këtë realitet, por edhe fuqizimi i rolit të gruas mbetet parësor. “Fuqizimi i gruas është shumë i rëndësishëm për të luftuar fenomenin e dhunës në familje. Duke hedhur këtë hap, por edhe duke rritur sensibilizimin e  shoqërisë, ne do të mundemi të jemi më reargues në të ardhmen duke patur paralelisht një monitorim më të rreptë”, theksoi Elona Gjebrea, deputete e PS.