EMUNI Regional Day in Tirana

Integrimi Mesdhetar ne kontekstin e Integrimit Europian.

Roli i arsimit te larte ne integrimin e Shqiperise ne BE

Në datën 16 dhjetor 2011, në ambientet e ShLP Mesdhetare të Shqipërisë u organizua “EMUNI Regional Day in Tirana”. Ky event ka si qëllim prezantimin e EMUNI University në Universitetet partnere. I ftuar nderi në këtë ditë ishte Prof. Dr. Joseph Mifsud, President i EMUNI University.

Ne diten e EMUNIT u prezantuan dhe diplomat e perbashketa te ShLP Mesdhetare të Shqipërisë dhe EMUNI ne Shkenca Ekonomike, Shkenca Politike dhe Administrative dhe Marredhenie Nderkombetare dhe Diplomaci

Fjalën e hapjes e mbajti Rektori i ShLP Mesdhetare të Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Angjeli i cili bëri një analizë të shkurtër të historisë së zhvillimeve Euro-Mesdhetare, zhvillime të cilat u finalizuan me themelimin e Unionit për Mesdheun, pjesë e të cilit është edhe EMUNI University. Në vazhdim u vendos theksi te nevoja e thellimit të integrimit Euro-Mesdhetar sidomos në fushën e arsimit të lartë sepse një gjë e tillë kontribuon në perspektivën Evropiane të vendit tonë. Gjatë fjalës së tij Rektori bëri edhe një përshkrim të bashkëpunimit të suksesshëm të ShLP Mesdhetare të Shqipërisë me EMUNI University gjatë këtyre dy viteve.

Në vazhdim fjalën e mori znj. Nora Malaj, zv. Ministre e Arsimit dhe Shkencës e cila shprehu mbështetjen e saj për këtë bashkëpunim të ShLP Mesdhetare të Shqipërisë me një institucion kaq të rëndësishëm si EMUNI University dhe vendosi theksin të rëndësia që këto lloj bashkëpunimesh kanë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

Prof. Dr. Gudar Beqiraj, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë shprehu kënaqësinë e tij për organizimin e kësaj dite prezantuese të EMUNI University në vendin tonë dhe bindjen e tij se evenimente dhe bashkëpunime të tilla do të luajnë një rol pozitiv në rritjen e nivelit të kërkimit shkencor në vendin tonë.

Në prezantimin e tij, Prof. Dr. Joseph Mifsud, Presidenti i EMUNI Universityfoli per projektet e EMUNI-t dhe arritjet e rëndësishme që ky institucion ka pasur gjatë këtyre viteve. Në vazhdim Prof. Mifsud bëri një përshkrim të detajuar të programeve Master, PhD, kurseve të specializimit dhe shkollave verore që ofron EMUNI University.

Studentët dhe të ftuarit e tjerë u njohën nga Prof. Mifsud edhe me programet Master që EMUNI University zhvillon në bashkëpunim me ShLP Mesdhetare të Shqipërisë. Presidenti i EMUNI-t vendosi theksin te kujdesi që institucioni që ai përfaqëson, i kushton ruajtjes së cilësisë së programeve të studimit dhe se diplomat e përftuara në ShLP Mesdhetare të Shqipërisë përmbushin të gjitha standardet që ekzistojnë në të gjithë rajonin Euro-Mesdhetar.

Në vazhdim studentët u njohën nga afër me mundësitë reale që bashkëpunimi ShLP Mesdhetare të Shqipërisë-EMUNI u ofron atyre, mundësi lidhen drejtpërdrejt me mobilitetin studentor jo vetëm në selinë e EMUNI në Slloveni por në të gjitha Universitetet partnere në rreth 40 vende të rajonit Euro-Mesdhetar.

Në përfundim të fjalës së tij Prof. Mifsud ju përgjigj pyetjeve të shumta të të pranishmëve.