Kerkimi Shkencor

KËRKIMI SHKENCOR NË SHLP MESDHETARE E SHQIPËRISË

Kërkimi shkencor është shtylla kryesore ku mbështetet arsimi i lartë, dhe është bazë për balancimin e dijeve teorike me ato praktike. Zhvillimi i kërkimit shkencor paralelisht me mësimdhënien,është një nga kërkesat kryesore për implementimin e sistemit të Bolonjës në universitetet të cilat synojnë të jenë pjesë aktive e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë (EAHE).

 

SHLP Mesdhetare e Shqipërisë është një universitet me mision dhe vizion të qartë në tregun e dijes në Shqipëri dhe me aspirata për të shtrirë aktivitetin e vet edhe më gjerë, por njëkohësisht me rritjen dhe konsolidimin e tij, pas një periudhe disavjecare të funksionimit të instituteve që ishin baza e krijimit të tij , ka ambicien për zhvillimin e kërkimit shkencor si për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, ashtu edhe për të rritur konkurrencën midis stafit të vet akademik dhe azhornimin e tyre në trendet bashkëkohore të debatit shkencor dhe përfshirjen e studentëve në to. Njëkohësisht duke qenë pjesë e mendimit elitar intelektual në shoqërinë shqiptare si dhe e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale në vend, ka zhvilluar një strategji të thellimit të kërkimit shkencor në ato fusha që mendohet se është më imediate “ndërlidhja” e shkencës për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Duhet të themi se iniciativa në këtë drejtim është ende “pioniere” dhe në hapat e mëtejshëm, ajo duhet të përkrahet nga institucionet publike, drejtuese të këtij procesi.

 

Në strategjinë e tij të zhvillimit, SHLP Mesdhetare e Shqipërisë inkurajon kërkimin shkencor si dhe debatin shkencor në disa drejtime të cilat ka dedektuar si të rëndësishme dhe prioritare për vetë stadin ku ndodhet Universiteti, por edhe vendi. Në këtë kontekst, duke patur objektiva të qarta lidhur me vizionin që ka edhe vetë Universiteti, hartimi i strategjisë dhe implementimi hap pas hapi i objektivave që rrjedhin nga kjo strategji, do të mundësojë rritjen e volumit të kërkimit shkencor dhe në të njëjtën kohë do të mundësojë renditjen e SHLP Mesdhetare të Shqipërisë në një nga vendet e para të listimit të institucioneve të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe në një vend prestigjoz në listimin rajonal të tyre.