Lufta Italo-Greke: Diktatorë dhe Kuislingë

img_1008c8a6Lufta Italo-Greke: Diktatorë dhe Kuislingë

 

Ditën e Martë 8/11/2011 u zhvillua në ambjentet e ShLP Mesdhetare të Shqipërisë promovimi i librit “Lufta Italo-Greke: Diktatorë dhe Kuislingë.” të Prof. Dr. Arben Puto. Libri është një botim i UMSH Press dhe TOENA. Në promovimin e librit merrnin pjesë personalitete të shquara të fushës akademike, studiues, lexues dhe studentë.

Promovimi u hap me fjalën e Prof. Dr. Anastas Angjelit, rektorit të ShLP Mesdhetare të Shqipërisë, i cili vuri në dukje kontributin e shquar që profesor Arben Puto ka dhënë dhe vazhdon të japë në fushën e kërkimeve me karakter historik dhe sidomos të studimeve të periudhave kyc të historisë shqiptare.

Në vazhdim fjalën e mori Prof. Dr. Paskal Milo i cili vlerësoi studimin e fundit të Arben Putos si një përpjekje shumë me vlerë për të hedhur dritë mbi ato pjesë së historisë dhe mbi ato figura të historisë shqiptare të cilat jo vetëm që nuk janë studjuar me objektivitet deri tani por përkundrazi janë mbuluar me petkun e subjektivitetit dhe oportunizmit politik të viteve të fundit.

Në fund fjalën e mori Prof. Dr. Arben Puto, autori i librit i cili falënderoi ShLP Mesdhetare të Shqipërisë për mbështetjen e dhënë për botimin me sukses të këtij studimi. Në vazhdim ai bëri një përshkrim të shkurtër të pikave kryesore të librit dhe të përqasjes ndaj kësaj cështjeje me interes të vecantë për lexuesin vendas dhe të huaj.