Promovimi i librit “Ditari i tranzicionit ekonomik” të Akademik Anastas Angjeli

1381334_10151877513218449_1875344461_nf5ba“Ditari i Tranzicionit Ekonomik” te Akademik Anastas ANGJELI

 

Në ambjentet e Hotel Rogner u zhvillua promovimi i  librit të fundit të Prof. Dr. Anastas Angjeli “Ditari i tranzicionit ekonomik”, një botim i UMSH Press dhe Shtëpisë botuese TOENA. Në promovimin e librit merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, akademikë, përfaqësues të medias, studentë etj.

Promovimin e hapi z. Lorenc Vangjeli i cili bëri një përshkrim të përmbajtjes së librit dhe të specifikës së tij si një libër ku analiza ekonomike ndërthurret me historinë 20 vjecare të tranzicionit shqiptar.

Në vazhdim mori fjalën Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta i cili pasi përgëzoi Profesor Angjelin për kontributin e tij të vyer në reformimin e ekonomisë shqiptare në vite vlerësoi librin e tij të fundit si një vlerë e shtuar në fushën e studimeve ekonomike.  Në vazhdim z. Meta duke marrë shkas edhe nga përmbajtja e librit u fokusua në problematikën aktuale ekonomike të Shqipërisë.

Në vazhdim fjalën e mori Ministrja e Arsimit dhe Sporteve znj. Lindita Nikolla. Duke ju referuar librit,  znj. Nikolla tha se ky studim  “përmban të gjithë eksperiencën profesionale, akademike dhe sigurisht edhe politike të një njeriu që për njëzet e më shumë vite ka dhënë dhe fatmirësisht vazhdon të japë kontributin e tij nga shumë pozicione. Si nga ai i profesorit, ministrit, i akademikut dhe tani i deputetit. Për këto arsye libri “Ditari i krizës ekonomike” është një vazhdimësi i këtij kontributi i  Profesor Anastasit,  një kontribut që do ti vijë në ndihmë jo vetëm specialistëve dhe studiuesve të shkencave ekonomike por edhe lexuesit të thjeshtë.”

Akademik Jorgo Bulo dhe Prof. Dr. Sulo Hadëri në përshëndetjet e tyre vunë në dukje rëndësinë që studime të tilla kanë jo vetëm për botën akademike dhe studiuesit e shkencës ekonomike  por edhe për lexuesin e thjeshtë që pas mëse 20 vitesh është i interesuar për një analizë objective të tranzicionit shqiptar.

Akademik Anastas  Angjeli pasi falënderoi të pranishmit si dhe Shtëpinë Botuese Toena ndër të tjera tha: “Kur nisa të punoj për ‘‘Ditarin e tranzicionit“ u ktheva pas në kohë. Në fund të viteve 80‘ kur era e ndryshimit sapo kishte filluar të ndihej edhe në vendin më të izoluar në evropë. Dhe dalëngadalë fillova të vëzhgoj një realitet shumë të ndryshëm nga ky i sotmi, i ndryshëm nga aspekti ekonomik, politik dhe social.

Ishte pikënisja e një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm të cilin po e  vazhdojmë ende sot dhe që do të vazhdojmë pafundësisht. Një rrugëtim drejt një demokracie funksionale që në qendër të saj ka qytetarin. Drejt një tregu të lirë por në funksion të mirëqënies sociale.  Drejt një shoqërie të lirë, te hapur dhe solidare. Dhe pikërisht sic ndodh në jetën tonë personale ashtu edhe në rrugëtimin tonë të përbashkët shpesh herë më shumë rëndësi se destinacioni përfundimtar ka vetë UDHETIMI. Pavarësisht se a do të arrijmë apo jo në destinacion e rëndësishme është të mësojmë nga ky udhëtim…“