Promovimi i librit “Monedha, Krediti dhe Banka në Shqipëri Gjatë Shekujve” nga Prof.Dr. Kristo Frashëri

foto12d55Promovimi i librit “Monedha, Krediti dhe Banka në Shqipëri

Gjatë Shekujve” nga Prof.Dr. Kristo Frashëri.

Ditën e Hënë 13/2/2012 u zhvillua në ambjentet e ShLP Mesdhetare të Shqipërisë promovimi i librit “Monedha, krediti dhe Bankanë Shqipëri Gjatë Shekujve.” të Prof. Dr. Kristo Frashëri. Libri është një botim i UMSH Press dhe TOENA. Në promovimin e librit merrnin pjesë personalitete të shquara të fushës akademike, studiues, lexues dhe studentë. Promovimi u hap me fjalën e Prof. Dr. Anastas Angjelit, rektorit të ShLP Mesdhetare të Shqipërisë, i cili vuri në dukje kontributin e madh që Profesor Frashëri ka dhënë për botën shkencore dhe akademike. Në vazhdim, referuar me librin Profesor Angjeli, ndër të tjerash tha : “Libri i ri i Profesor Kristo Frashërit “Monedha, Krediti dhe Banka në Shqipëri Gjatë Shekujve” është kontributi i rradhës që studiuesi, profesori, historiani, akademiku jep për botën shkencore, akademike dhe universitare si dhe për lexuesin e gjerë. Një studim i tillë është shumëdimensional dhe shumëdimensional është edhe publikut të cilit i drejtohet.

Libri është shkruar nga Profesor Frashëri me një gjuhë të thjeshtë dhe të rrjedhshme që duhet të karakterizojë një monografi historike drejtuar një publiku të gjerë por njëkohësisht me një theks të mprehtë profesional që duhet të shoqërojë studimet e historisë ekonomike. Libri “Monedha, Krediti dhe Banka në Shqipëri Gjatë Shekujve” përbën një përshkrim të historisë së monedhës, kredisë dhe institucioneve bankare në territorin e kësaj pjese të gadishullit ballkanik .”

Në vazhdim fjalën e mori Prof. Dr. Muzafer Kërkuti, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Profesor Kërkuti ngriti lartë punën shkencore dhe kontributin e Profesor Frashërit dhe e konsideroi librin e fundit të tij si një libër që përbën një vlerë të shtuar në historiografinë ekonomike të vendit tonë. Pjesëmarrësit në promovim ndoqën një mesazh video të Profesor Kristo Frashërit i cili në pamundësi për të qenë i pranishëm për shkak të shëndetit të rënduar përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi ShLP Mesdhetare të Shqipërisë për mbështetjen që dha në botimin e kësaj vepre.