Promovimi i librit “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha. 1912-1914” të Prof Dr. Arben Puto.

img_66350325Ditën e Enjte, 17 janar 2013 në Amfiteatrin Adam Smith të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë u organizua promovimi I librit të fundit të Prof. Dr. Arben Puto: “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha. 1912-1914”. Në promovimin e librit merrnin pjesë personalitete të shquara të fushës akademike, studiues, lexues dhe studentë.

Fjalën e hapjes e mbajti Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Angjeli. Në fjalën e tij Prof. Angjeli vuri në dukje kontributin e shquar të Profesor Putos në fushën e historiografisë shqiptare dhe rëndësinë që ky botim i fundit i tij ka për botën akademike, për lexuesin e thjeshtë si edhe për studentët e historisë së diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në vazhdim fjalën e mori Prof. Dr. Paskal Milo i cili vlerësoi studimin e fundit të Arben Putos si një përpjekje shumë me vlerë për të hedhur dritë mbi ato pjesë së historisë të cilat në periudhën e përpara viteve 1990 ishin të mbushura me indoktrinimin ideologjik të sistemit të kaluar.

Në fund fjalën e mori Prof. Dr. Arben Puto, autori i librit i cili falënderoi Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë për mbështetjen e dhënë dhe për organizimin e këtij promovimi. Në vazhdim ai bëri një përshkrim të shkurtër të tezave kryesore të librit dhe të përqasjes ndaj kësaj periudhe të historisë shqiptare  me interes të vecantë për lexuesin vendas dhe të huaj.