Leksion i Hapur nga z.Momir ZUZUL

1470302_10152015240003449_770842042_n_0c5ccLeksion i Hapur nga z.Momir ZUZUL

Ne daten 6 dhjetor 2013, ora 11:30, ne Amfiteatrin “Adam Smith”, z. Miomir Zuzul, diplomat dhe politikan i mirenjohur kroat dhe ish-Minister i Jashtem i Kroacise, mbajti nje leksion te hapur me teme: Diplomacia Ekonomike dhe roli i saj ne periudhen e globalizimit.

Z. Miomir Žužul eshte diplomat, akademik dhe, mes të tjerash, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë përgjatë fazës përgatitore e mandej përuruese të paktit Adriatic Three (2004), paradhomë institucionale e përfshirjes së Kroacisë dhe Shqipërisë në strukturat e Aleancës Atlantike (NATO). Pjesmarrja rezultoi të ishte shumë e kënaqëshme, mes studentësh e pedagogësh mjaft të interesuar për përmbajtjen e ligjëratës së ambasadorit dhe pjesës së pyetjeve.
Në fillim të fjalës së tij, amb. Žužul zhvilloi një leksion hyrës shumë të pasur mbi vetë konceptin e diplomacisë, duke shenjuar në këtë trajtë edhe disa koncepte kardinale të mënyrës sesi ajo raportohet më gjerëzi me politikën. Togjalët “imunitet”, “reciprocitet”, “integrim” ishin kryefjala e kësaj tematike, mbi të gjitha për të shtjelluar më qartë atë që do të ishte edhe qendra e diskutimit të ndërmarrë, diplomacia në tipologjinë e saj ekonomike, ose më saktë shtrëngimi i raporteve paqësore mes vendeve duke u nisur nga premisa e mbrojtjes së interesit kombëtar nëpërmjet një bashkëpunimi më të gjerë të ndërsjelltë në fushat e tregtisë dhe mirëqenies ekonomike. Në plot raste, përtej përvojës së tij institucionale publike, ambasadori e vuri theksin edhe tek aktiviteti i tij privat, konkretisht në lëmin e konsulencës ligjore dhe diplomatike në krah të njërës prej shoqërive më të njohura dhe ndikuese të lobimit ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rezultoi tejet interesante mënyra sesi ligjëruesi kërkoi ta pajiste leksionin e tij të hapur me shembuj të pasur nga përvoja e njohur e proceseve te integrimit europian ndërmarrë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Natyrisht, në plot raste, Kroacia dhe përfshirja e saj rishtazi në BE qëndruan në mënyrë të përherëshme në qendër të vëmendjes.
Në vazhdim, ligjërata u zhvendos në zhvillimin e pyetjeve nga ana e auditorit, të cilat, shpesh, krijuan edhe një atmosferë shumë dinamike debati, ku studentët dhe pedagogët e ShLP Mesdhetare e Shqipërisë e patën të pamundur të mos e vinin theksin e shkëmbimit të opinioneve tek tematikat më të rrahura në brendinë e zhvillimeve politike dhe diplomatike të Shtetit shqiptar. Në këtë trajtë, përfshirja e dy kolegëve të amb. Žužul erdhi edhe si vazhdimësi pikërisht e përvojës së tyre në trajtimin e lëmnit të diplomacisë ekonomike dhe lobimit juridik në krah të shteteve të përfshira në listën e Patton Boggs. Pyetje që kishin të bënin me marrëdhëniet e Patton Boggs me ish-qeverinë e qendrës së djathtë në Shqipëri, raportet rajonale që Shqipëria do të duhej të zhvillonte me vende të tjera të hapësirës ballkanike (theksi i kudondodhur tek rasti i Turqisë vlen të shënohet) dhe njëkohësisht nevojshmëria e profilizimit të diplomacisë shqiptare – duke marrë në këndvështrim krahasues rastin e diplomacisë kulturore të zhvilluar nga Republika Federale e Austrisë – rezultuan të jenë tematikat më të rrahura nga bashkëpjesmarrësit në debat.
Në fund, fjala e ambasadorit u përqëndrua në nevojshmërinë e veprimtarisë paralele të dy tipologjive të aktivitetit diplomatik: përfaqësimit të drejtpërdrejtë qeveritar dhe atij të tërthortë nëpërmjet ndërmjetësimit të strukturave ndërhyrëse (lobuese). “ Është e rëndësishme të kuptohet se komunikimi i drejtpërdrejtë i një përfaqësie zyrtare institucionale nga ana e një shteti, për shembull në SHBA, është tejet e vështirë, kryesisht për shkak të stafit të vogël dhe burokracisë shumë të madhe amerikane që mund të gjendet përballë. Në këtë kuptim, njohja, përvetësimi dhe marrëdhënia e vazhdueshme me grupe lobimi që gjenden në brendësi të kësaj administrate të huaj rezulton kyçe për zhvillime pozitive ndëprmjet dy vendeve” – e mbylli fjalën amb. Žužul.