Të Reja nga ShLP Mesdhetare e Shqipërisë

Konference Shkencore: GJIROKASTRA NE TRE DHJETVJECARET E ARDHEM

Konference Shkencore: GJIROKASTRA NE TRE DHJETVJECARET E ARDHEM

Zhvilloi punimet Konferenca Shkencore “Gjirokastra në tre dhjetëvjeçarët e ardhshëm- Mendim Interaktiv”
RUAJTJA E IDENTITETIT DHE TRASHEGIMNISË KULTURORE NË SHËRBIM TË ZHVILLIMIT PERSPEKTIV TË GJIROKASTRËS

Fjala e Prof.Anastas Angjelit mbajtur në Konferencën Shkencore “Gjirokastra në tre dhjetëvjeçarët e ardhshëm- Mendim Interaktiv” e organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në bashkepunim me Bashkinë Gjirokastër dhe Fondacioni Gjirokastra.

Të nderuar pjesëmarrës!

E nderuara Kryetare e Bashkisë Znj. Zamira Rami, perfaqësues të Universitetit Eqerem Cabej, personalitete të ftuar, qytetarë të Gjirokastrës, studentë dhe nxënës të shkollave!

Eshtë një kënaqësi e vecantë për mua të përshëndes punimet e këtij simpoziumi shkencor të organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Bashkia e Gjirokastrës dhe Fondacioni Gjirokastra. Natyrisht obligimi im sot është i dyfishtë si themelues dhe President i Universitetit Mesdhetar por edhe si deputet i zonës.

Gjatë këtij simpoziumi studiues të fushave të ndryshme si të ekonomisë, shkencave politike dhe diplomacisë, sociologjisë dhe antropologjisë nëpërmjet kumtesave të tyre do të shprehin idetë dhe do të japin sugjerimet e tyre në lidhje me temën kryesore të këtij simpoziumi që është perspektiva e zhvillimit të Gjirokastrës në tre dekadat e ardhshme. E rëndësishme është që në këtë konferencë, në krah të përfaqësuesve të mendimit shkencor që është i domosdoshëm për progresin dhe për vizionin e zhvillimit në dekadat e ardhshme, marrin pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit si dhe qytetarë të Gjirokastrës, sepse sic thote dhe shkrimtari yne i madh I. Kadare duket sikur ky qytet është ngritur për të zgjuar ide të mëdha, dhe idetë, mendimet djhe kontributet janë dhe duhet të jenë të të gjithëve.

Mendimi ynë si një alternativë shkencore dhe aplikative priret nga disa parime thelbësore. Është me rëndësi të dorës së parë të vëmë në dukje se zhvillimi duhet të jetë i qëndrushëm, afatgjatë dhe i bazuar tek ide të qarta dhe stradegji të studjuara. Në këtë këndvështrimi punimet që do të parashtrohen në këtë tubim i bashkëngjiten në mënyrë komplementare programit të pushtetit lokal dhe atij qëndror për rilindjen e qyteteve tona.

Gjithashtu dua të nënvizoj, se ky rigjallërim i jetës urbane dhe qyteteve është i lidhur me europianizimin e jetës së tyre, si mentalitet, si kuptim mbi zhvillimin, si demokraci lokale dhe si bashkëveprim me rajonin dhe më gjërë.

Le të jenë kumtesat e kësaj konference ashtu si ujrat e dëborës e Malit të Gjerë, që të bashkuara me etjen për zhvillim, energjinë e rinisë, të studentëve dhe intelektualëve këtu në Gjirokastër e në distancë do të krijojnë doemos përfytyrimin e duhur të dinamikës moderne të zhvillimit ekonomik e social për banorët e qytetit, të rajonit dhe për brezat e ardhshëm.

Gjirokastra është një rajon me mundësi të mëdha zhvillimi falë pozitës së saj gjeografike, strukturës së ekonomisë rajonale, përbërjes së popullsisë, historisë, kulturës dhe traditës së saj të pasur, trashëgimisë kulturore, kapaciteteve intelektuale, Universitetit Eqerem Cabej me të cilin Universiteti Mesdhetar ka një bashkëpunim të frytshëm. Rizgjimi i traditës, identifikimi, riprioritizimi dhe sigurisht shfrytëzimi i të gjithë faktorëve dhe mundësive të rritjes ekonomike dhe zhvillimit arsimor e kulturor është një detyrë që nuk i takon vetëm organeve politikbërëse dhe vendimmarrëse në nivel lokal dhe qëndror, por është një obligim madhor që i takon edhe komunitetit akademik dhe shkencor. Kërkimi shkencor nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë i shkëputur nga zhvillimet ekonomike, politike e sociale por duhet të jetë një promotor i këtyre zhvillimeve duke vendosur bazat teorike dhe duke dhënë sugjerimet e duhura.Vetëm në këtë mënyrë komuniteti shkencor mund të thuhet se e ka dhënë kontributin e tij. Ky simpozium i përgjigjet kësaj fryme dhe është ndërtuar pikërisht mbi këtë filozofi. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është i prirur të angazhohet në vijimësi me përgjegjësi të tilla ku puna kërkimore tejkalon kornizën kurrikulare të auditorit dhe merr përspiër përgjegjësinë që të analizojë situata ekonomike e sociale , arsimore e kulturore, diplomatike e juridike dhe të japi rekomandimet konkrete për të ndihmuar në dinamizimin e jetës dhe në zhvillimin e vendit. Vetëm në këtë mënyrë universitetet mund të luajnë rolin e institucioneve të hapura që shërbejnë në zhvillimin e përgjitshëm të shoqërisë dhe vendit.

Periudha në të cilën jetojmë është një periudhë që shënjohet nga zhvillime dinamike në nivel rajonal dhe global, një periudhë ku ndërvarësia ekonomike dhe politike është në nivele të paeksploruara më parë në të kaluarën. Në një botë të tillë që lëviz me një shpejtësi marramëndëse (dhe ndonjëherë pa e ditur se në c’drejtim) jemi të detyruar të veprojmë dhe të përparojmë individualisht por c’është më e rëndësishmja edhe si shoqëri. Dhe në këtë realitet kaq kompleks, asnjë shoqëri, asnjë vend dhe asnjë rajon nuk e ka luksin të mbetet i shkëputur nga ky proces. Nëpërmjet simpoziumeve të këtij lloji përpiqemi të mbulojmë aq sa është e mundur, hapësirën që ndan kërkimin shkencor nga njëra anë dhe politikbërjen nga ana tjetër dhe të kontribuojmë në arritjen e një kohezioni ndërmjet zhvillimeve në vendin tonë dhe atyre në rajon dhe më gjerë.

Rajoni i Gjirokastrës, siç përmenda më sipër është një rajon me potenciale të konsiderueshme zhvillimi. Këtu nuk nënkuptoj vetëm zhvillimin turistik të qëndrueshëm që është ndoshta baza e zhvillimit ekonomik të zonës por edhe përfshirjen organike në këtë zhvillim të pasurisë etnokulturore, folklorike, traditat, faktorin BIO dhe kulinarinë e mrekullueshme të 6 komunave të përfshira, nënkuptoj pasurinë natyrore, arkitekturore të të gjithë rajonit si dhe zhvillimin e agrobiznesit dhe të gjithë degëve dhe nëndegëve të lidhura me të.

Rajoni i Gjirokastrës është përplot me destinacione turistike ende të pashfrytëzuara dhe rizgjimi i tyre bashkë me shfrytëzimin e vlerave të paçmueshme muzeale për mbështetjen e ekonomisë vendase, shfrytëzimin gjithashtu të afërsisë me Greqinë dhe zonën e Janinës për bashkëpunim sa më të ngushtë në fushën e ekonomisë, arsimit, turzimit dhe jetës universitare përbëjnë prioritete themelore në veprimtarinë e pushtetit vendor.

Të gjitha këto sigurisht që marrin më shumë rëndësi edhe me zbatimin e reformës së ndarjes së re territoriale, reformë ku presim që me një punë të mencur e dinamikë, plot energji, profesionalizëm e përkushtim të sjellim avantazhe e kontribute pozitive në shërbimet ndaj komunitetit, në orientimin e saktë të trendit të zhvillimeve ekonomike të sotme e të perspektivës për rajonin.

Do të doja që në fund të kësaj përshëndetjeje të shkurtër ti uroja punë të mbarë konferencës dhe suksese të gjithë referuesve, me besimin se mendimet dhe rekomandimet të jenë të dobishme për zhvillimin e rajonit të Gjirokastrës në dekadat e ardhshme!

Ju faleminderit !