Memorandumi, studentët e UMSH trajnime dhe këshillim karriere nga The HeadHunter


Kompania më e madhe e punësimit në rajon

zgjedh UMSH si partner në projektin e USAID “People first”

 

Studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë do të trajnohen dhe do të mund të sigurojnë mundësi punësimi nga një prej kompanive më të mëdha jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon, The HeadHunter. Kjo kompani  ofron shërbime inovative në përzgjedhjen e personelit dhe rekrutimit dhe  ka zyrat e saj në Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi, Greqi dhe SHBA. Vetëm vitin e kaluar në Shqipëri nëpërmjet kësaj kompanie u punësuan mbi 7000 persona. Drejtuar nga Elton Ilirjani, ndër studentët e parë të Universitetit Mesdhetar, The HeadHunter ka përzgjedhur UMSH, si partnerin e saj kryesor në Projektin “People First” financuar nga USAID dhe Ambasada Suedeze në Shqipëri. Për këtë qëllim u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe  The HeadHunter shpk dhe në sajë të tij, studentët e UMSH do të kenë mundësi të trajnohen për tetë profesione të Hoteleri – Turizmit. Ky bashkëpunim, do të sigurojë ofrimin e kurrikulave sipas standardeve bashkohore dhe nevojave të tregut në sektorin e turizimit, rritjen e numrit të të rinjve që do të trainohen dhe si rrjedhojë, rritjen e numrit të të punësuarve në fushën e Turizmit. Shkëmbimi i ekspertizës ndërmjet The HeadHunter dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, do të shërbejë për të krijuar një urë lidhëse midis këtij të fundit dhe Biznesit Privat në Sektorin e Turizmit, dhe institutcionalizimin e marrëdhënies midis tyre.Gjithashtu, në kuadrin e zgjerimit të bashkëpunimit mes The HeadHunter dhe UMSH, u nënshkrua njëkohësisht edhe një marrëveshje bazuar në të cilën, The HeadHunter do të ofrojë pranë UMSH këshillimin e karrierës për studentët e këtij Universiteti, duke i orientuar ata drejt një qasje profesionale në procesin e punësimit.