Metodat e reja të auditit, UMSH nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me KLSH


Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Kontrollin e Lartë të Shtetit, një institucion që kontribuon në  shtimin dhe kursimin e vlerës së parave publike, duke ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të Qeverisë e të enteve të tjera publike nëpërmjet auditimit. Qëllimi i kësaj marrëveshje është orientimi, trajnimi praktik, këshillimi praktik dhe i drejpërdrjetë i studentëve të UMSH-së dhe  realizimi i studimeve dhe punëve kërkimore . Marrëveshja synon gjithashtu  nxitjen e shkëmbimit të eksperiencave pozitive të kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nga njëra anë dhe shtimin e zbatimit në praktikë të aktivitetit kërkimor dhe shkencor të Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë nga ana tjetër. Gjithashtu, në sajë të kësaj marrëveshje synohet  rritja dhe zgjerimi i  “Kërkimit të aplikuar Kontabel dhe Financiar” ku për probleme të veçanta specialistët e Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të mbështesin me shembuj konkret pedagogët dhe studentet e  Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe pedagogët të japin ekspertiza të specializuara për probleme të veçanta në Inxhinierinë Financiare dhe fusha të tjera. Duke vlerësuar këtë marrëveshje bashkëpunimi themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr  Anastas Angjeli, u shpreh se është një institucion i cili po aplikon elementët më bashkëkohor të kontrollit dhe auditimit sipas standardeve europiane. “Futja e këtyre elementëve të rinj të kontrollit dhe auditit është e nevojshme të përfshihet edhe në programet tona mësimore dhe kjo është arsyeja pse sot kemi Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe e shohim si mjaft të rëndësishme këtë marrëveshje bashkëpunimi”, u shpreh Pr.Dr. Angjeli. Ndërkohë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, duke vlerësuar punën e bërë nga Universiteti Mesdhetar për edukimin e brezit të ri, veç të tjerash nënvizoi se kjo marrëveshje do të zbatohet në praktikë duke ecur paralel me filozofinë e institucionit që ai drejton ku eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve . “Nëpërmjet kësaj filozofIe në jemi të bindur se është vertët e rëndësishme të shkëmbesh dhe të mësosh nga të tjerët, ndaj kjo marrëveshje do t’I shërbejë dy institucioneve”, tha z. Leskaj.