Praktika për studentët dhe ekspertizë në teknologji informacioni, UMSH marrëveshje me “ Infosoft Group”


Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me “Investment Joti- Infosoft Group”, grupi që prej 27 vitesh udhëheq  distribucionin e produkteve të konsumit dhe teknologjisë së Informacionit  në Shqipëri. Ky grup është sot një nga sipërmarrjet më të mëdha që angazhon profesionistë të klasit të lartë me ekspertizë të gjerë në fushën e tyre respektive, dhe përbëhet  nga njëmbëdhjetë kompani. Studentët e UMSH-së tashmë do të kenë mundësinë të kryejnë praktikat mësimore,  pranë kësaj shoqërie e cila zotëron tregun prej disa dekadash. Kjo marrëveshje, vjen në  vazhdën e marrëveshjeve që Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, duke pasur  synim  të rrisë dhe përmirësojë cilësinë e mësimdhënies, familjarizimin e studentëve me  tregun e punës, ka përfunduar nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet publike dhe private. Presidenti i “Investment Joti- Infosoft Group”,z. Grigor Joti,  u prit nga themeluesi i Universitetit Mesdhetar Akademik, Prof. Dr, Anastas Angjeli dhe studentë e pedagogë të UMSH-së. Sipas marrëveshjes, Shoqeria “Investment Joti- Infosoft Group” do të angazhojë, sipas një plani të caktuar, studentë dhe të diplomuar të UMSH në punë provuese (stazhe). Kjo  shoqëri  në kuadër të veprimtarisë së vet, do t’ju mundësojë studentëve të UMSH-së, kryerjen e praktikës profesionale të parashikuar në planin mësimor. Ekspertë të shoqërisë “Investment Joti- Infosoft Group” veçanërisht në fushën e IT, do të kenë mundësinë të mbajnë në UMSH leksione për studentët  si dhe  të dyja palët do të realizojnë veprimtari të përbashkëta kërkimore, promovuese dhe marketingu, me qëllim rritjen e cilësisë, imazhit të institucioneve respektive si dhe sensibilizimin e qytetarëve  me projektet e përbashkëta të dy institucioneve. Themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Anastas Angjeli e vlerësoi këtë marrëveshje si mjaft të rëndësishme, duke theksuar se modelet e shoqërive të tilla të suksesshme i shërbejnë studentëve si mundësi jo vetëm për praktikat, por edhe si një dritare më shumë për tu punësuar nëse vërtet kanë potencialin që i përshtatet shoqërisë. Presidenti i “Investment Joti- Infosoft Group”,z. Grigor Joti,pasi bëri një prezantim të grupit që drejton, nënvizoi se rekrutimi i të rinjve të aftë  ka qenë prej vitesh një  prioritet i pandryshueshëm.