Zv. Kryeministrja , Senida Mesi me studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë: Si po reformohet administrata publike



Zv. Kryeministrja Senida Mesi, ishte sot e ftuar në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, për të mbajtur një leksion të hapur për studentët me temë “Reforma në administratën publike, prioritet kyç për integrimin europian”.Në ligjëratën e saj Zv. Kryeministrja, u ndal në hapat që po ndërmerren për  riorganizimin e  administratës publike,për të arritur ato standarde që na afrojnë me BE-në. Qëllimi kryesor i  reformës, është rritja e cilësisë së shërbimeve që ofron administrata publike, duke u larguar sa më shumë nga burokracitë dhe duke i shërbyer qytetarëve me profesionalizëm. “Reforma ka filluar  me riorganizimin institucional, rishikimin e funksioneve të të gjitha institucioneve dhe agjencive të varësisë, me qëllim ristrukturimin e tyre, për të rritur efiçencën, duke  rindërtuar  nga themelet marrëdhënien e qytetarit”,  u shpreh zv. Kryeministrja.  Në ligjëratën e saj,  ajo renditi si shumë të rëndësishme shtimin e  numrit të shërbimeve publike online që do të kontribuojnë në modernizimin dhe uljen e korrupsionit,  apo edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike. Duke iu përgjigjur interesit të studentëve, zv. Kryeministrja theksoi se në institucionet shtetërore praktikat profesionale të studentëve  të cilat kryhen në një periudhë kohore prej 6 muajsh, kanë sjellë një frymë të re në administratën publike, pasi të rinjtë vijnë me dëshirë për të punuar. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka marrëveshje bashkëpunimi me pjesën më të madhe të institucioneve publike dhe private. Në sajë të këtyre marrëveshjeve, studentët kryejnë intershipe, trajnime dhe  praktikat mësimore  duke pasuruar cv-të e tyre  ende pa përfunduar shkollën e lartë. Themeluesi i Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë Akademik, Pr. Dr. Anastas Angjeli, duke falenderuar Zv. Kryeministren për ligjëratën e saj, u shpreh se me një administratë publike profesionistë, Shqipëra do të integrohet më shpejt në Bashkimin Europian. “Kualifikimi i të rinjve, ndryshimi i mentalitetit dhe kulturës së punës, paralel me politikat që duhen ndërrmarrë do ta bëjnë këtë proces më të lehtë “, u shpreh z. Angjeli. Reformimi i administratës publike është një nga 5 prioritetet kyçe të cilat Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe po  do të mbikqyret nga një grup i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe përfaqësues të të gjithë vendeve të Bashkimit Europian.